Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, vlerësoi që marrëveshja e Ohrit, ka ardhur si pasojë e mosbashkëpunimit të kryeministrit Albin Kurti, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Gazeta Enigma.
Madje sipas tij, Qeveria Kurti është e mbushur me ide korruptive, derisa shtoi që marrëveshja në thelb nuk është aspak e mirë për Kosovën.
“Kjo që po ndodh tani, është rrjedhë logjike e asaj çfarë ka bërë Kurti në këto dy vite. Kur dy vite nuk ka bashkëpunuar ashtu si do duhej, konkretisht me ShBA-në, sigurisht që do vish këtu dhe do ta kurthosh vetvetën. Kurti duke na hedhur pluhur syve, po thotë unë doja të nënshkruaja, por Vuçiq nuk deshi. Është tipike populiste, po mundohet ta mbulojë me fjalë të mira, atë që në përmbajtje nuk është aspak e mirë. Kurti hallin më të madh e ka si t’ia bëjë me të kaluarën e tij politike. Përfundimi është, që kemi të bëjmë me një Qeveri që është e mbushur me ide korruptive”, deklaroi Abdullahu.
Ai vIerësoi se me termin vetëmenaxhim i komunitetit serb, Kurti po mundohet ta mbulojë fjalën e tij “jo Asociacion një etnik”.
“Kurti vetëm po manovron, po i keqpërdor, për vete po i mirë përdor fjalët, e kjo për të mos e pranuar atë që ka bërë. Ka të bëjë me faktin se ka premtuar diçka, ka marrë vota dhe nuk po i zbaton ato premtime”, theksoi Abdullahu në Tëvë1.
Njëherit, zëdhënësi i PDK-së, shtoi se në qendër duhet të jetë njohja, dhe se 5 shtetet e BE-së duhet ta njohin Kosovën, duhet të fillojë procesi i anëtarësimit në NATO, si dhe nuk duhet ketë pushtet të tretë.
“Mirëpo, këto nuk përngjajnë aspak me kërkesat e Kurtit”, tha Abdullahu.