Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga Policia e të tjerë të dënuar nga Gjykatat arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia, raporton Gazeta Enigma.
Vetëm gjatë ditës së sotme, Sinjali mëson se kanë rënë në pranga të Policisë disa persona të kërkuar me urdhëresa të Gjykatave.
Fillimisht në kryeqytet, janë kapur tre persona që kërkoheshin nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vepra të ndryshme penale.
Njëri prej tyre I.K., 26-vjeçar u arrestua pasi Policia e ndaloi për verifikim dhe rezultoi se është në listën e personave të kërkuar. I njëjti ishte shpallur fajtor për veprën penale “Trafikim me njerëz” dhe dënimi i ishte zëvendësuar nga gjoba në burgim. Pasi u shoqërua në stacion për procedura policore, i njëjti është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese.
Kurse dy të tjerët janë arrestuar në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë. Sinjali mëson se bëhet fjalë për S.D., dhe K.T., të cilët po kërkoheshin pasi ishin dënuar për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Ndërkohë edhe në Prizren është arrestuar një person i kërkuar nga Gjykata, për veprën penale “Mashtrimi”. I riu E.T., është ndaluar në rrugën “Sylejman Rrotlla” dhe më pas është dërguar në burgun e Prizrenit për ta vuajtur dënimin.
Kurse i dyshuari tjetër është kapur në Mitrovicë dhe siç merr vesh Sinjali bëhet fjalë për A.B., 23-vjeçar, i cili po ashtu ishte në listën e personave të kërkuar, pasi ndaj tij kishte urdhëresë aktive të lëshuar nga Gjykata.