Kryeredaktori i gazetës serbe “Blic”, Predrag Mihailoviq, ka thënë se Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri nuk janë vetëm futbollistë. Sipas tij, dy futbollistët kosovar që luajnë për Zvicrën, në Serbi shihen edhe si figura politike.
“Xhaka dhe Shaqiri nuk janë vetëm futbollistë, por shihen edhe si figura politike, pasi tashmë kanë shprehur bindjet e tyre politike”, ka thënë Mihailoviq për gazetën zvicerane “Blick”. Ai i është referuar edhe fanellës me mbiemrin Jashari të Ardon Jasharit që Xhaka e pati veshur pas përfundimit të ndeshjes ndaj Serbisë në Kupën e Botës në Katar.
“Historia e futbollit mes Serbisë dhe Zvicrës ka qenë shumë e mbushur me ngjarje vitet e fundit. Situata politike tani është e tillë që Serbia është në bisedime me BE-në për statusin e Kosovës. Është një çështje shumë e dhimbshme për popullin serb”, ka thënë gazetari serb. Mihajloviq ka thënë se policia e Serbisë do të jetë në gjendje gatishmërie për kapitenin e Zvicrës, Granit Xhakën. Bjellorusia të shtunë e pret Zvicrën në Novi Sad, në ndeshjen hapëse të ciklit kualifikuese për “Euro 2024”. “Vështirë se dikush në Serbi e di se loja fantazmë midis Bjellorusisë dhe Zvicrës do të luhet këtu”, ka theksuar kryeredaktori i gazetës serbe. “Njerëz nga mbi 15 kombe janë në këtë qytet. Shumë njerëz nga Hungaria, Rumania, Sllovakia dhe ata kanë jetuar me serbët për dekada”. Zvicra të premten në mbrëmje udhëton për në Serbi, ndërsa të shtunën nga ora 18:00 do ta zhvilloj ndeshjen ndaj Bjellorusisë. Shaqiri mungon për shkak të lëndimit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.