Në orën 13:00, do të shpallet aktgjykimi për rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt. I akuzuar për vrasje është kushëriri i saj, Naser Pajazitaj. Seanca do të mbahet në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Por, çka kishin deklaruar në fjalën përfundimtare prokuroria, pala e dëmtuar dhe mbrojtja?
Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj kërkoi nga Gjykata Themelore në Ferizaj, që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ndaj tij të shqiptojë dënim maksimal.
“Në tërësi mbetem pranë të gjitha pikave të aktakuzës, Gjykatës i propozoj që ndaj të akuzuarit të jep dënim maksimal, së pari që ka vrarë një femër, e më pas që vrasja e rëndë ishte kryer në mënyrë dinake për motive të ulta”, ka thënë në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj.
Ajo tha se për këtë çështje penale për të cilën po akuzohet Naser Pajazitaj, në rigjykim janë administruar provat materiale dhe janë dëgjuar dëshmitarët, është bërë dalja në vendin e ngjarjes me trupin gjykues nga Gjykata e Pejës, dhe po ashtu i akuzuari ka dhënë tri deklarata dhe atë në polici, njërën në cilësi të dëshmitarit dhe atë në prokurori.
Andaj, prokurorja tha se është vërtetuar gjendja faktike dhe se i akuzuari ka kryer veprat penale siç ngarkohet në aktakuzë.
Pala e dëmtuar në këtë rast, Shkëlqim Pajazitaj, në fjalën e tij përfundimtare tha se kërkon kompensim dëmi duke shtuar se e përkrah fjalën e prokurores që i akuzuari të dënohet me dënim maksimal.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gëzim Kollçaku në fjalën e tij përfundimtare tha se me asnjë provë direkte apo indirekte nuk është vërtetuar se është kryer kjo vrasje nga i akuzuari Naser Pajazitaj.
“I nderuar trup gjykues, në aktakuzë thuhet se i akuzuari e ka marrë tani të ndjerën me veturë, me asnjë provë nuk është vërtetuar kjo rrethanë”, ka thënë avokati në fjalën e tij përfundimtare.
Avokati kërkoi nga gjykata që të mbrojturin e tij ta lirojë nga përgjegjësia penale për këtë rast.
Vet i akuzuari Naser Pajazitaj, në fjalën e tij përfundimtare tha se e mbështetë fjalën e avokatit të tij, ndërsa kundërshtoi fjalën e prokurores Valbona Dishaj-Haxhosaj.
“Ndjej shumë keqardhje për atë çka i ka ndodhur familjes Pajazitaj, sikur me më pas ndodh mua, betohem se nuk kam njohuri dhe as dijeni për vrasjen e asaj vajze”, ka thënë i akuzuari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas përfundimit të fjalës përfundimtare nga ana e palëve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ibrahim Idrizi, konstatoi se çështja është shqyrtuar mjaftueshëm, andaj edhe e shpalli të përfunduar gjykimin për këtë çështje.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.
Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019 e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.
Por, në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë.
Vendimi për delegimin e lëndës në Ferizaj ishte marrë nga Gjykata e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj po akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.
Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunjë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.
Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohet se më parë e gjerë më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke , në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.
Gjithashtu, sipas aktakuzësm më parë dhe gjerë më 23.05.2017, në fshatin Strellc i ulët Komuna e Decanit, i akuzuari pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 me numër serik 120331141 dhe 2 karikator të zbrazet, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekur si më lartë.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së. /Gazeta Enigma/