Armand Duka ka udhëtuar drejt Varshavës së bashku me ekipin kombëtar, i cili nesër luan ndeshjen e parë në grupin E për kualifikueset e Euro 2024. Kreu i FSHF-së ka dhënë një intervistë për mikrofonin e “Supersport”-it, në të cilën ka treguar përshtypjet e tij për punën e bërë deri më tani nga Silvinjo e stafi i tij, si dhe për mundësitë që kanë kuqezinjtë për të shkuar në Gjermani në Europianin e vitit të ardhshëm.
“Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka mirë. Mendoj që kemi bërë mirë. Ekipi është i përgatitur, të presim fushën e lojës nesër. Futbolli nuk është një shkencë ekzakte. Është një lojë e cila mund të të nderojë edhe duke mos luajtur mirë. Ose edhe mund të mos japë rezultat duke luajtur mirë. Por, unë uroj të kemi rezultat, pavarësisht si do të luajmë.
Përshtypjet e para nga Sylvinho? Impenjim maksimal nga Sylvinho dhe stafi i tij. Atmosferë shumë pozitive nga gjithë ekipi. Dëshirë e shtuar krahasimisht me edicionin që mbyllëm vitin e kaluar. Vërtetë një atmosferë ndryshe, një atmosferë shumë e bukur.
Mbase edhe diferenca e vogël e moshës mes stafit dhe lojtarëve bën që të shkrihen akoma më mirë dhe të sjellin energji pozitive në skuadër. Shoh një dëshirë maksimale, jo dëshirë pa baza. Dëshirë me baza që mund të bëjmë diçka. Të gjithë e kuptojnë që mund të arrihet në rezultate pozitive me shumë punë, pasi kundërshtarët janë të gjithë të fortë.
Në futboll duhet të hysh për maksimumin në çdo ndeshje. Me këtë objektiv jemi edhe nesër në Varshavë. Për të fituar ndeshjen, pavarësisht se çfarë prodhon ndeshja. Në çdo kompeticion luhet për t’u kualifikuar. Nuk duam ta pompojmë, por kemi realisht një skuadër e cila mund të konkurrojë dhe mund të arrijë në Euro 2024.
I ka të gjithë mundësitë, ka kualitet, ka kushte fantastike në ‘Shtëpinë e Futbollit’. Ka kushtet më të mira, ose njësoj me skuadrat e tjerë. Një organizim dhe staf shumë i mirë, futbollistë kualitativë, kështu që mund të arrijmë kualifikimin.
Jemi favoritë për t’u kualifikuar, por le të shohim. Nuk janë kundërshtarë vetëm Polonia dhe Çekia. Duhet të kemi shumë kujdes, kundërshtarë janë të gjithë, por të përqendrohemi shumë te ndeshja e nesërme.
Humbja e Polonisë ndaj Çekisë nuk është favorizuese për ne. Ai rezultat e bën akoma më shumë agresive Poloninë, i bën të kenë vlerësim maksimal ndaj nesh. Tani presim një Poloni të plagosur rëndë, e cila do të kërkojë të rikuperohet ndaj nesh. Ne duhet të jemi të zgjuar, të menaxhojmë situatën dhe ta kthejmë në favorin tonë.
Do na shkonte mirë një barazim? Nuk di të them, realisht më pëlqen të fitoj. Çdokujt i pëlqen të fitojë. Besoj vërtetë në fitore, nuk e them kot. Por do të di ta përjetoj çdo rezultat që do të japë fusha. Do të gëzohemi shumë nëse fitojmë. I pranueshëm do të ishte edhe barazimi. Edhe nëse nuk arrijmë asnjë nga këto, rruga është e gjatë. Uroj të arrijmë fitoren“, ka deklaruar Armand Duka.