Polonia fitoi ndaj Shqipërisë në Varshavë me rezultatin 1-0 teksa vendasit pavarësisht trepikëshit, nuk lanë shije të mirë.
Kuqezinjtë patën mundësi për të barazuar sidomos me Uzunin teksa pas ndeshjes pati kritika të shumta për skuadrën polake. Ish-sulmuesi i kombëtares së Polonisë, Włodzimierz Lubański theksoi se skuadra nuk tregoi dëshirë ndaj Shqipërisë ndërsa kërkoi që Robert Lewandowski të mbështetet më shumë nga shokët.
“Nuk ka dyshime, stili i lojës së Polonisë duhet të ndryshojë. Kemi probleme për të krijuar situata në fushë dhe nuk shoh agresivitetin e duhur tek lojtarët. Humbën duelet një kundër një dhe kemi vështirësi të pasojmë shpejt. Nuk po e kuptoj nëse është faji i taktikës apo lojtarëve dhe së fundmi po krijojmë shumë pak raste për gol.
Unë isha shumë kurioz të shihja si lojtarët do të reagonin pas disfatës me Çekinë, por u zhgënjeva. Fatkeqësisht, ndeshja kundër Shqipërisë tregoi se lojtarët nuk kanë shpirtin luftarak dhe nuk kishin dëshirë për të reaguar pas humbjes në Çeki.
Lewandowski? Ka qenë edhe më mirë. Por, mendoj se tani është duke u përshtatur pak edhe me nivelin e skuadrës. Ai nuk mund të bëjë asgjë i vetëm. Nëse nuk ka lojtarët e duhur përreth edhe Lewandowski atëherë nuk mund të japë më shumë”, u shpreh Lubanski.