Nesër mbahet Testi i Arritshmërisë, në klasa do të lejohen vetëm 15 nxënës

Nesër mbahet Testi i Arritshmërisë, në klasa do të lejohen vetëm 15 nxënës

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) njofton të gjithë nxënësit e klasave të 9-ta se të premten do të mbahet Testi i Arritshmërisë, raporton Gazeta Enigma.

Në njoftim thuhet se në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit dhe me shkollat, MASHT-i ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij testi.

“Ministria e Arsimit është e vendosur dhe e përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, ndërsa ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi”, thuhet në njoftim.

Sipas MASHTI-it, organizimi i testit do të realizohet sipas kërkesave dhe standardeve më të larta, duke garantuar testim cilësor dhe të besueshëm.

“Për shkak se është kohë pandemie, forma e organizimit të sistemimit të nxënësve në klasë, duhet të realizohet sipas kriterit, një nxënës në një bankë, kurse në çdo klasë do të lejohen vetëm nga 15 nxënës”.

MASHTI fton të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces, që të respektohen në përpikëri rregullat dhe masat kundër COVID-19.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MASHTI.

Rezultatet e Testit të Arritshmërisë pritet të shpallen më 7 qershor./Gazeta Enigma/

Related Articles