Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët e familjarët tjerë, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë. Në 24 orët e fundit kanë ndodhur disa raste të tilla, në disa qytete.
Sinjali mëson se njëri nga rastet ka ndodhur në një familje në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Gjakovë, ku një i ri dyshohet se sistematikisht ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij. 20-vjeçari është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë, ndërsa viktima ka refuzuar të dërgohet në strehimore.
Rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Greme të Ferizaj, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje. Bazuar në dëshminë e saj, pas një konflikti verbal, i shoqi ka eskaluar në dhunë fizike, duke e goditur me dru në trup. Sipas saj, dhunë ka përjetuar edhe herë të tjera, mirëpo s’e ka raportuar. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.
Me dhunë dyshohet se u përball dje edhe një vajzë në fshatin Bardhosh të Prishtinës. E dyshuar për sulm ndaj saj, është motra e mitur, e cila për motive ende të panjohura dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj 25-vjeçare duke e goditur me grushte e shuplaka. Viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që e dyshuara është arrestuar. Me urdhër të prokurorit, ndaj saj është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’. Po dhunë ndaj saj po dyshohet se ka përdorur edhe njerka. Bazuar në dëshminë e nënës së 25-vjeçares, njerka e vajzës e ka rrahur atë me tëhollues, pasi kishte hyrë me çorape të pista në dhomë. Sipas saj, e bija përballet me dhunë të vazhdueshme në shtëpinë e babait të saj, mirëpo 25-vjeçarja ka refuzuar të deklarohet lidhur me këtë rast.
E një 21-vjeçar në Gjilan i cili sipas familjarëve është përdorues i narkotikëve, dyshohet të ketë ushtruar dhunë ndaj babait të tij. I riu dyshohet se e ka kërcënuar babain e tij se nëse nuk ia jep veturën që ta shes, do të mbytet, duke shkaktuar kështu frikë të madhe e shqetësim te prindërit e tij. Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor.