Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i shoqëruar nga drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, bashkë me përfaqësues të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, vizituan depon e re qendrore të vaksinave për Kosovën.
Aty nga afër panë investimin e kompletuar, pajisjet e reja dhe moderne të zinxhirit të ftohtë të cilat shërbejnë për ruajtjen e sigurt të vaksinave.
Ministri Vitia theksoi se ky investim me mbështetje të USAID, në vlerë të 1.3 milionë dollarëve, ka qenë i një rëndësie thelbësore në periudhën e pandemisë COVID-19 dhe tani do të shërbejë për ruajtjen e vaksinave në përgjithësi.
Ky kapacitet i shtuar për ruajtjen e vaksinave do t’i ndihmojë profesionistëve shëndetësorë në shtrirjen efektive të mbulimit të vaksinimit, në mënyrë që secili fëmijë në Kosovë të jetë i mbrojtur nga sëmundjet e parandalueshme me vaksina.