Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka bërë të ditur se do t’i dërgojnë në Hagë letrat dhe vizatimet e fëmijëve të Prishtinës për ish-komandantët dhe ish-ushtarët e UÇK-së.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se pas ligjëratave të ish-ushtarëve të UÇK-së në disa prej shkollave të Prishtinës, fëmijët bënë punime të ndryshme që i shpërndanë në OVL të UÇK-së.
“Disa prej tyre po i dërgojmë tek liderët e UÇK-së që po mbahen në Hagë. Shpresojmë që me këto letra do të mund të përçojmë mirënjohjen e thellë që e kemi për UÇK-në dhe vlerat e saj”, ka shkruar Musmurati.
Më poshtë keni disa prej shkrimeve të fëmijëve:
“Mrekullive të botës duhet ti shtohet edhe lufta çlirimtare e UÇK-së” shkruan, Leka nga shkolla Naim Frashëri.
“Unë ende kam besim te njerëzimi sepse ende kam besim tek ju. Na keni treguar herë pas here se ne mund t’ju besojmë. Andaj, ju jeni heronjtë tanë!”, thotë Erza, e cila ka lindur në vitin që është shpallë Pavarësia.
“Ndoshta sot je me thinja, por ne do të kujtojmë gjithmonë për zgjuarsinë, trimërinë dhe sakrificën që e ke bërë për fëmijët e Kosovës”, thotë letra tjetër.