Kryeministri Albin Kurti ka folur për rritje të ekonomisë së vendit gjatë dy viteve sa është duke drejtuar qeverinë. Ai thotë se janë rritur eksportetet, ekonomia e Kosovës në përgjithësi dhe janë krijuar 40 mijë vende pune. Por, ish -Kryeministri Isa Mustafa i mohon këto “suksese”. Në një përgjigje për Gazetën Express Mustafa thotë se rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm ka vetëm atëherë kur përmirësohet jeta e qytetarëve.
Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti po e proklamon një storje pozitive për progres ekonomik në vend gjatë dy viteve të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje. Kryeministri Kurti madje kur i përmendet dialogu si një fushë që e mban mjaftë të zënë, hidhërohet me gazetarët pasi e konsideron se qeverisjes duhet dhënë më shumë hapësirë se bisedimeve me Serbinë.
Por, me rrëfimin e Kurtit për ekonomi, s’po pajtohet Isa Mustafa. Ish-kryeministri i Kosovës, në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se ato që i proklamon Kurti si arritje nuk qëndrojnë.
Madje, ai thotë se është krejt e kundërta e asaj që thotë shefi aktual i Qeverisë.
”Rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm ka atëherë kur ajo shprehet në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Rasti i Kosovës këto vite është i kundërt. Ka rritje të madhe të çmimeve, rritje të varfërisë dhe të atyre që kërkojnë ndihma sociale për të mbijetuar”, ka thënë Mustafa.
Të mërkurën, kreu i ekzekutivit kosovar Albin Kurti ka thënë se ekonomia e Kosovës për këto dy vite është rritur 2.1 miliardë. Teksa shprehej i kënaqur me qeverisjen e tij, Kurti thoshte se “ka edhe përmirësim të bilancit tregtar si dhe ulje të deficitit buxhetor”.
Megjithatë, Mustafa thotë se “Qeveria nuk ka marrë vendime për stimulim eksportesh”.
“Në vitin 2022 importet kanë arritur në mbi 5,6 miliardë euro ose për rreth 955 milion euro në krahasim me një vit më parë. Ka rritje të importeve edhe nga Serbia. Prandaj në një mbulim të importeve me eksport me vetëm 16 përqind nuk mund të lavdërohet askush. Nuk ka asnjë masë qeveritare që ka shtytë rritjen e eksportit apo zëvendësimin e importit me produkte vendore. Çdo meritë e mundshme i takon sektorit privat”, ka deklaruar Mustafa.
Ish-kreu i Lidhjes Demokratike i është përgjigjur Kurtit edhe për deklaratat se ka ulje të deficitetit buxhetor – prej prizmit të Mustafës kjo është rrjedhojë e mungesës së investimeve kapitale.
”Vendi nuk zhvillohet duke zvogëluar investimet publike ( që shprehen në uljen e deficitit buxhetor). Kjo është politikë krejtësisht e gabuar financiare e Qeverisë. Qeveria do duhej të investojë e jo të ruaj para të gatshme në thesar të cilat i brenë inflacioni”, ka thënë Mustafa.
“Punë dhe drejtësi”, ishte parulla kryesore e Kurtit si opozitar për ardhjen në pushtet. Tash, si pushtetar, thotë se kanë krijuar më shumë se 40 mijë vende të punës.
Edhe për këtë, Mustafa ka përgjigje, sipas tij kjo statistikë i referohet formalizimit të vendeve të punës gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, por edhe përtej saj.
“Për 40 mijë të punësuar kjo qeveri ka folur edhe në vitin 2021. E përsëritë edhe tani. Ka pasur kalime të përkohshme nga sektori informal në atë formal për të marrë ndihmat sociale të qeverisë, por jo punësim efektiv. Në vend të kësaj ka pasur ikje masive jashtë vendit”, ka vazhduar Mustafa.
Kosova në numra
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2021 eksportet shënuan rritje mbi 300 milionë euro më shumë sesa në vitin 2020.
Importet në periudhën e njëjtë, rezulton se ato janë rritur në mbi 4.7 miliardë euro nga 3.3 miliardë në vitin 2021.
Po ashtu, në Kosovë çmimet kanë shënuar rritje – këtë e kishte konstatuar edhe Banka Botërore që jepte shifrën 19.2.
Për këtë Kurti ka një shpjegim psikologjik, kur thotë se “kur njerëzit kanë shpresë, shpenzojnë më shumë”.
Një pjesë e madhe e këtyre njerëzve vazhdojnë të jenë krejt jashtë tregut, sipas ASK-së, 60.8 qytetarë janë fuqi joaktive – pra, nuk kanë punë zyrtarisht e as nuk kërkojnë.
Ndërkohë, Kosova ka mbi 25 mijë familje që vazhdojnë të marrin asistencë sociale nga shteti.