Ministri Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturor, Liburn Aliu, ka dhënë detaje në lidhje me incidentin e 24 shkurtit, ku dy aeroplanë gati nuk janë përplasur mbi hapësirën ajrore të Kosovës, për shkak që siç është thënë pakujdesisë të zyrtarëve përgjegjës.
Ai në seancën e sotme të Kuvendit, tha se dy kontrollorë të Autoritetit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror, janë liruar nga detyra pas këtij incidenti, derisa po vazhdon hetimi për t’i zbuluar gjitha shkaqet.
Mirëpo, ai tha se hetimi do të tregojë nëse ka pasur rrezik për përplasje apo jo.
“Të dy kontrollorët e përfshirë në incident janë liruar nga detyra menjëherë pas incidentit. ASHNA ka filluar hetimet për këtë incidenti sipas kërkesave të dala nga legjislacioni në fuqi dhe ka kërkuar leje për të dhënat e radarit dhe të zërit të cilat janë dhënë.
Sipas ligjit, aviacioni civil ka filluar hetimet për ngjarje dhe raporti preliminar i ASHNA-së është pranuar nga AAC dhe sipas tij raporti kontrollorët e përfshirë kanë nisur ndërrimin në kushte normale. AAC ka marrë raportet e pilotëve nga dy fluturaket e përfshira për me pas informacion shtesë për incidentin. Më 10 mars 2023 drejtori i AAC e ka thirr mbledhjen për diskutim për këtë incident.
Natyrisht janë marrë raportet nga gjithë personat përgjegjës dhe jemi në fazën e hetimit. Tash cilat do të jenë masat pastaj, e para duhet të vlerësojmë se çka ka ndodhur saktë dhe nuk duhet të ngutemi dhe të deklarojmë se ka pasur ndonjë rrezik ose jo. Mendoj se njoftimet në media kanë qenë të dëmshme dhe tepruara. Konfrom hetimit do të merren masat edhe ndaj zyrtarëve përgjegjës”, tha ai.