Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz po pretendon se disa prej politikanëve të huaj i kanë thënë fjalë të mira për punën e Qeverisë, megjithëse, nuk ka përmendur me emra.
Gërvalla në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se një politikan i tha se po flasin vetëm për zhvillimin pozitiv të një vendi.
“Një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të politikës evropianë na thotë: Rrallë me ndodhë që gjatë takimit të flas vetëm për zhvillim pozitiv të një vendi.” – tha ajo.
Për një homolog tjetër, Gërvalla u shpreh se i ka thënë që “është yll i ndritshëm i demokracisë në rajon”.
“Një homolog i imi nordik në një prej takimeve më thotë “you are the shining star of the democracy in the region”, që do të thotë “jeni yll i ndritshëm i demokracisë në rajon.” – tha ajo.
Tutje në fjalimin e saj, Gërvalla u shpreh si vijon: “Të panumërta janë bisedat me homologë të kontinenteve të ndryshme të cilët shprehin admirim për sukseset dhe për caktimin e palëkundur të institucioneve të Kosovës për shtet ligjor e demokraci të mirëfilltë”.
Pra kryediplomatja, pretendoi se shumë shtete po i adhurojnë institucionet e Kosovës.
“Asnjëherë Kosova nuk ka pasur kaq shumë vizita të ndërkombëtarëve, kurrë nuk kemi pasur kaq shumë miq të fortë, jo vetëm duke na treguar se çfarë duhet të bëjmë, bashkë me ne punojnë.” – tha ajo.