Shefi i Kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela ka folur rreth raportimeve të fundit se Presidentja Vjosa Osmani mund të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, kjo pasi që Veton Berisha dhe Albert Kinolli nga komunitetet egjiptian dhe rom po pretendojnë se mandatet e tyre janë marrë nga disa shkelje të mëdha në zgjedhjet e fundi të përgjithshme.
Vela deklaroi se nuk ekziston asnjë element për t’u kontestuar juridikisht procesi i zgjedhjes së Presidentes teksa shtoi se edhe nëse ish-kandidati për deputet Veton Berisha fiton rastin në Gjykatën Kushtetuese, Presidentja nuk cenohet.
Ndër të tjera Vela vitin e dytë të Osmanit në krye të Presidencës e vlerësoi si mjaft dinamik.
“Në vitin e fundit kanë ndryshuar rrethanat duke filluar nga lufta në Ukrainë. Presidentja ka qenë jashtëzakonisht aktive, sidomos në politikën e jashtme. Ajo ka prekur shumicën e kontinenteve, duke pasur takime me shtete njohëse dhe jo njohëse për të shtyrë përpara fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Vela në një intervistë për Telegrafin.
Shefi i kabinetit të Presidentes ka komentuar edhe raportimet në media në lidhje me një rrëzim të Presidentes nga Gjykata Kushtetuese.
Vela thotë se Presidentja do ta vazhdojë mandatin deri në fund dhe ajo nuk do të rrëzohet.
“Presidentja nuk do të rrëzohet. Ajo do ta kryej mandatin e saj dhe do ta ketë një tjetër mandat”, ka deklaruar Vela.
Vela thotë se edhe nëse do të merret për bazë ankesa e ish-deputetit Veton Berisha, nuk do të cenohet procedura e zgjedhjes së Presidentes.
“Hipotetikisht do të mund të rrëzohej vetëm një deputet. Në raundin e dytë kanë marrë pjesë 82 deputetë. Nuk ka asnjë bazë ligjore, juridike, kushtetuese që të mund të vihet në atë konkludim [rrëzimi i Presidentes]. Lajmi u është shpërndarë mediave [për rrëzimin e mundshëm të Presidentes] nga qarqe që lidhen me Serbinë. Nuk u vë faj këtu mediave. Janë disa shpërndarës të lajmeve të rreme”, është shprehur Vela.
Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, thotë se nuk ka asgjë kundër mediave dhe sipas tij AGK në disa raste do të duhej të reagonte vet kundër mediave që dezinformojnë.
Në këto vite Presidentja sipas tij ka vendosur një standard të ri sa i përket vendosjes së meritokracisë në institucione.
Ai ka thënë se megjithatë Presidenca nuk ka lënë anash edhe çështje tjera siç ishte reagimi për shtrenjtimin e rrymës.
“Megjithatë institucionet janë të pavarura dhe kanë vendosur ndryshe”, deklaroi tutje Vela.