Shërbimi Korrektues i Kosovës bën të ditur se në kohën e pranim dorëzimit të detyrës (ndërrimit të natës), gjatë kontrollit, bastisjes së stafit nga ana e oficerëve të sigurimit, në hyrjen kryesore është parandaluar futja e kontrabandës brenda Qendrës së Paraburgimit Prishtinë.
Gjatë kontrollit, në trupin e oficerit korrektues, V. Q është gjetur lëndë e dyshuar narkotike.
Lidhur me rastin, janë njoftuar Njësiti Antidrogë i Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë konfiskuar lëndën e dyshuar narkotike, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacionin e Policisë për procedim të mëtutjeshëm.
Ndaj zyrtarit korrektues të dyshuar është ndërmarrë masa e suspendimit nga vendi i punës dhe menjëherë është iniciuar procedure e brendshme disiplinore.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive negative, ku hyjnë luftimi i kontrabandës, substancave narkotike, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, dhe nuk do të lejoi në asnjë mënyrë rrezikim e institucioneve korrektuese nga dukuritë dhe veprimet e tilla”, thuhet në njoftim.