Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli bëri të ditur sot se, Kosova do të futet në Bursën e Energjisë (ALPEX) në muajin shtator.
“Presim që gjatë muajit shtator të fillojmë ankandin e parë që do të tregtohet përmes ALPEX në zonën tregtare të Kosovës dhe njëkohësisht edhe bashkimin e tregjeve Kosovë-Shqipëri”, deklaroi Rizvanolli gjatë ceremonisë për hapjen e ankandit të parë të tregut që u zhvillua në Tiranë.
Duke folur për ndikimin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ajo tha se, sektori i energjisë ishte më i prekuri.
“Sektori i Energjisë ishte më i prekuri duke rritur barrën për qeveritë dhe qytetarët tanë. Në këtë kontekst është bërë më e qartë se kurrë se sa e rëndësishme është të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit dhe vendeve me të cilat ndajmë vlerat dhe qëllimet. Qasja jonë për të adresuar krizën, si qeveri e Kosovës është fokusuar në tre drejtime, diversifikimin e burimeve të energjisë, rritjen e kursimit dhe eficencës, dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe integrimin e tregut dhe një hap i rëndësishëm në këtë drejtim po bëhet sot”, deklaroi Rizvanolli.
Sipas saj, Shqipëria dhe Kosova rritën bashkëpunimin ndërmjet tyre duke bërë që të dy vendet të mund të mbrohen nga importi i shtrenjtë i energjisë elektrike duke u kursyer rreth 50 milionë euro qytetarëve të Kosovës dhe po aq edhe atyre të Shqipërisë, shkruan ATSH.
Ministrja Rizvanolli theksoi se, tregu i përbashkët krijon mundësi të reja biznesi. Kjo, vuri në dukje ajo, do të rrisë përfitimet dhe standardet e shërbimit.
“Në periudhë afatgjatë objektiv i qeverisë së Kosovës është garantimi i sigurimit të furnizimit dhe mbrojtja e qytetarëve dhe bizneseve nga çmimet e larta, deri sa bëjmë një tranzicion drejt energjisë së pastër. Dy qeveritë tona ndajnë të njëjtin objektiv mbi modelin e synuar të energjisë elektrike ndaj qëndrojmë fuqishëm pas zotimit tonë për të liberalizuar e integruar tregjet tona të energjisë elektrike. Tani përmes ALPEX jemi një hap më para arritjes së këtij synimi. ALPEX do të shërbejë si operator për menaxhimin e tregjeve, market ky që zbaton praktikat më të mira europiane”, tha ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Rizvanolli.