Në orët e para të mëngjesit të së hënës, rreth 50 minatorë të minierës së Trepçës kanë mbetur të bllokuar, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kjo ngjarje ka ndodhur si pasojë e prishjes së një elevatori i cili ua mundëson atyre hyrjen e daljen nga thellësia e minierës.
Qerim Bajgora tregon detaje si e morën lajmin dhe cilat ishin reagimet e tyre.
Në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, Bajgora, minatori i cili ka qenë të hënën në minierë kur ka ndodhur ngjarja tregon se ai kishte nisur të ngjitet shkallëve, pasi mësoi për rrezikun në të cilin ndodheshin.
“Rreziku ka qenë i padiskutueshëm, në ato momente ka qenë në pyetje kush çka të mundet me shpëtua shpirtin”, tha ai.
Tutje ai ka njoftuar se ata të ngecën në minierë ishin ndërrimi i tretë dhe sapo ishin duke e kryer ndërrimin e tyre kur edhe morën lajmin se kishin mbetur të bllokuar atje për shkak të prishjes së liftit.
“Prej orës 2 na kanë lajmëruar, ne kemi qenë në ndërrimin e tretë, ne kemi qenë duke punuar nga ora 9 atëherë vetëm se ishim duke e kryer ndërrimin, pra në ora 2. Ishim duke u përgatitur që të dalim jashtë”, tha Bajgora për “Enigmën”.
Tutje ai potencoi se ekipi kujdestar pas njoftimin për prishjen e liftit ka tentuar t’i nxjerr nga aty por nuk ka pasur sukses pasi që ishte djegur edhe trafo e energjisë elektrike.
“Rreth orës 2 na lajmëruan se ne nuk mundemi me dal jashtë. Në fillim prishje ka pasur korpa ku dalim me të, pas disa përpjekjeve nuk kanë mundur ta rregullojnë. Janë munduar të na nxjerrin nga një korpë tjetër, fillimisht ata që ishin më të rëndë në peshë dhe më i moshuar që nuk kanë mundur të dalin nga shkallët”, ka deklaruar Bajgora.
“Edhe njëherë kemi biseduar me kujdestarinë lartë, të cilët na lajmëruan se nuk po munden me bë zgjidhje pasi energjia elektrike nuk ka bërë pasi është kallur trafo”, shtoi ai.
Ai jep detaje edhe për rrugëtimin e tij me shokë në rrugën dytësore.
“Kush kemi mundur unë me shokë kemi dal ka dalja e dytë shkallëve përpjetë. Ka pasur rrezik normal por është dashtë me u nis sepse s’kemi pas rrugëdalje tjetër, po ecim ose po mbesim”, ka rrëfyer Bajgora për “Enigmën”.
Njëherit ka theksuar se të gjithë ata që mbetën të ngujuar ishin agjërueshëm dhe askush nuk e prishi ramazanin edhe pse kishin ujë dhe ushqime me vete.
“E kemi sfiduar vetën për 2 orë për të dal lartë në sipërfaqe. Fatmirësisht nuk kemi pasur probleme të mëdha. Kemi pasur lodhje të mëdha, pushonim nga pak, me ujë e shpërlanim fytyrën pasi ishim agjërueshëm të gjithë dhe nuk donim me e prish ramazanin”, tha ai.
“Nga pak kemi ecur nga pak kemi pushuar. Kundër panikut mirë ka qenë, u mundonim me mbajt moralin e lartë, karakterin që mos me pas panik”, ka përfunduar ai.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me ish-kryetarin e Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, i cili ka rrëfyer për sfidat me të cilat përballen çdo ditë punëtorët e nëntokës, për rrezikun, kushtet dhe pagesat ndaj tyre.
Osmani tha se pagat e punëtorëve të nëntokës që sipas tij janë të vogla krahasuar me punën që kryejnë ata, duke krahasuar kështu edhe me pagat e vendeve tjera në Evropë që dallojnë shumë me ato në vendin tonë.
“Mesatarja e pagës së minatorit është diku te 750 euro, ndërsa kualifikimi më lartë i minatorit paguhet me 816 euro me punën më të rrezikshme. Në minierë ka edhe punëtorë të thjeshtë që paguhen me 600 euro”, tha ai për “Enigmën”.
Tutje ai ka theksuar se para luftës minatorët i kanë pasur kushtet më të mira në punë.
“Para luftës minatori kur ka punuar 12 muaj në minierë ju kanë njohur 18, pra 12 plus 6. dhe diku me 45 vjet ka dal në pension. Pra me përvojë të punës dhe jo me moshë të pleqërisë”.
“Rreziqet janë të papritura, për shembull uji që na vjen, rryma është defekti më kryesor dhe ashensori, këto janë problem më shqetësuese për punëtorin”, theksoi Osmani.
Kujtojmë se të hënën minatorët e Trepçës u përballën me një defekt të liftit që ka sjellë deri tek ngujimi i minatorëve të ndërrimit të tretë për plot 15 orë.
Të gjithë minatorët dolën shëndosh e mirë pas shumë orësh të izoluar rreth 900 metra nën tokë. /GAZETA ENIGMA/