Arrestohet anesteziologu që publikoi video të pacienteve nga Gjinekologjia

Arrestohet anesteziologu që publikoi video të pacienteve nga Gjinekologjia

Policia e Tetovës e ka arrestuar të premten pasmesnate një mjek anesteziolog në Spitalin e Tetovës, pasi kishte xhiruar një video nga Reparti i Gjinekologjisë, të cilën më pas e kishte postuar në rrjetin e videove të shkurtra TikTok.

Arrestimi i mjekut është bërë pas denoncimit të bërë nga drejtori i Spitalit klinik të Tetovës, Pëllumb Vela.

Ai e ka cilësuar publikimin e videos si “të papranueshme”.

“Ky veprim për ne është i pakuptueshëm. Dënojmë çdo sjellje joprofesionale të stafit mjekësor ndaj pacientëve”, ka thënë për TV21, drejtori i spitalit, Vela.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, anesteziologu (V.D) 43 vjeç, është ndaluar në fshatin Odër të Tetovës.

“Për rastin është njoftuar prokurori publik, dhe pas dokumentimit të tij do të merren masa adekuate”, është thënë në njoftimin e Policisë.

Oda e Mjekëve e Maqedonisë së Veriut, e ka dënuar ashpër incidentin me anesteziologun dhe ka kërkuar marrjen e masave nga institucionet përkatëse.

“Kërkesa për respektimin e të drejtave personale nis nga respektimi i të drejtave të të tjerëve, në këtë rast të të drejtave të pacientëve. Në një kohë sa më të shkurtër do të thirren organet e Odës për shqyrtimin e rastit, dhe marrjen e veprimeve dhe masave”, është thënë në reagim.

“Mjekët janë të obliguar ta kryejnë profesionin e tyre me ndërgjegje dhe përgjegjësi, të respektojnë dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e të sëmurëve dhe të ruajnë besimin e tyre”, ka thënë mes tjerash Oda.

Ky rast ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, pasi qytetarët kanë kërkuar masa urgjente nga institucionet përkatëse, por edhe masa tjera për parandalimin e publikimeve të tilla që cenojnë privatësinë e njerëzve.

Related Articles