Të mërkurën (19 prill) në stadiumin me bari sintetik në Gjilan pritet të jetë mjaftë nxehtë.
Sport Club “Gjilani” dhe Klubi Futbollistik “Llapi” do ta zhvillojnë ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, raporton Gazeta Enigma.
Takimi I parë mes këtyre dy skuadrave i zhvilluar në Podujevë ka përfunduar me rezultatin 1-2 në të mirë të gjilanasve.
“Kuqebardhët” e Gjilanit kanë mundësi të mirë që pas 23 viteve të luajnë përsëri në finale të Kupës.
Gazeta Enigma e ka kontaktuar kryetrajnerin e Gjilanit, Zekirija Ramadani, i cili ka folur për takimin e nesërm.
Ramadani ka thënë se rezultati i ndeshjes së parë e favorizon ekipin e tij, por që duhet të jenë vigjilent.
“Rezultati i ndeshjes së parë na favorizon neve, mirëpo ne jemi të vetëdijshëm që brenda fushës favorit nuk ka. Duhet të marrim ndeshjen sikur të na duhet fitorja patjetër që në fund ndoshta edhe me barazim t’i gëzohemi kualifikimit në finale”, tha Ramadani për Enigmën.
“Skifterat” në fundjavë kanë marrë një fitore të madhe ndaj Malishevës në kuadër të Superligës. Trajneri
Ramadani thotë se ky triumf ka ndikuar pozitivisht tek ekipi.
“Fitorja përballë Malishevës ka ndikuar shumë pozitivisht te ekipi dhe kjo është ndihmesë shtesë për ekipin në aspektin moral, atmosfera pas fitores është shume e mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë me atmosferë pozitive”, shtoi Ramadani.
Trajneri shkupjan shpreson që t’i shfrytëzojnë më së miri rastet që do t’ju vijnë në përballje ndaj Llapit.
“Pres nga ekipi të luajmë shumë mençur dhe mos të rrezikojmë në defanzivë. Të jemi shumë konkret në rastet që mund t’i krijojmë, sërish nuk e kemi ekipin e plotë, por besoj që ai që do ketë mundësi të luaj do të jep maksimumin”, shtoi më tutje trajneri shkupjan.
Për fund, Zekirija Ramadani, ka edhe një lutje për tifozët e klubit “Skifterat” të cilët shquhen për besnikërinë ndaj klubit të zemrës.
“Skifterave ju kisha bërë thirrje të jen të numër sa më të madh sepse kemi nevojë për ndihmën e tyre si gjithmonë, por në këtë ndeshje me tepër. Së bashku me tifozët do të jetë më lehtë kualifikimi në finale, pa tifozë nuk fitohen asnjë trofe. Me Skifterat ‘inshAllah’ drejt trofeut të Kupës”, përfundoi Ramadani.
Gjilani – Llapi do të zhvillohet nesër me fillim nga ora 15:00.
/Gazeta Enigma/