Trajneri i Prishtinës, Debatik Curri është ndarë i kënaqur me fitoren e thellë të ekipit të tij dhe kualifikimin në finalen e Kupës së Kosovës në futboll. Prishtina, të mërkurën triumfoi 6:0 ndaj Vushtrrisë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale për të avancuar tutje me rezultatin e përgjithshëm 8:1.
Curri pas ndeshjes ka thënë se nuk ka pritur fitore kaq të thellë të ekipit të tij, por ka shtuar se qasja e lojtarëve të Prishtinës ishte shumë serioze.
“Kam kërkuar të kemi një qasje serioze ndaj Vushtrrisë dhe lojtarët janë angazhuar prej fillimit të ndeshjes. Natyrisht, nuk kam pritur një fitore kaq të thellë por jam i lumtur që kemi kaluar në finale”, është shprehur Curri.
“Ka kohë deri në finale pasi do të shohim si do të shkojnë gjërat edhe në kampionat, ku do të kërkoj nga lojtarët maksimumin”.