Zyrtarët policorë, duke përfshirë edhe grada të larta jo rrallëherë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme, që në shumicën e rasteve motivet lidhen edhe me punën e tyre zyrtare. Ngjarje të tilla ndodhin jo vetëm gjatë kohës kur policët janë me uniformë, por edhe jashtë detyrës zyrtare.
Për një rast të tillë, ku viktimë është një zyrtar policor nga Policia Rajonale në Ferizaj, Prokuroria tashmë ka urdhëruar nisjen e hetimeve pas denoncimit të rastit.
Burimet e Sinjalit brenda këtij institucioni kanë bërë me dije se këtë herë është kërcënuar një polic (emër i njohur për redaksinë), me gradën e togerit, pjesë e Njësisë së Antidrogës në Drejtorinë e Policisë në Ferizaj.
Sipas informacioneve të para, personi që dyshohet për këtë rast, para disa ditësh, në llogarinë në rrjetin social ‘Facebook’, i ka dërguar mesazhe togerit, përmbajtja e të cilave ka qenë kërcënuese.
Posa zyrtari policor ka zbuluar mesazhet që i pranoi, përmes të cilave është kanosur, ka denoncuar gjatë ditës së sotme rastin, me ç’rast ka dhënë deklaratën e tij, si dhe ka deponuar dëshmi lidhur me këto mesazhe.
Si rezultat i raportimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet për veprën penale “Kanosje” dhe varësisht nga procesi i hetimeve, të ndërmerren edhe veprimet e nevojshme, që të zbulohet dhe të kapet i dyshuari.