Hoti: Pushteti po e mbron drejtorin e KEK-ut: Do të ketë pasoja për Kosovën

Hoti: Pushteti po e mbron drejtorin e KEK-ut: Do të ketë pasoja për Kosovën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, ka folur rreth arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për korrupsion.

Hoti tha se pushteti aktual ishte dashur që ta mbështeste prokurorinë në vend se ta kritikonte dhe ta kërcënonte.

Ai theksoi se kjo do të ketë pasoja në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.

“Jam i sigurt se raporti për vendin i BE-së dhe raporte të tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të evidentojnë me notë shumë negative këtë sjellje të mazhorancës në Kosovë ndaj arrestimeve të lidhura me afera të mundshme korrupsioni. Këto reagime duhet thënë se janë të paprecedent”.

“Pse gjithë kjo frikë nga hetimi i aferave të mundshme korruptive? Pse sulmohet organi i akuzës nga Prishtina e nga Tirana, e nuk dënohet akti i mundshëm korruptiv dhe nuk kërkohet drejtësi? A mos janë këto afera të mundshme korruptive të lidhura me persona më larg dhe më lart? Kjo sjellje vë në pikëpyetje “gjoja” reformën në drejtësi. Me këtë sjellje kjo mazhorancë e ka humbur besueshmërinë për çfarëdo reforme që tenton të bëjë në drejtësi”, tha Hoti.

Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se një pushtet që tenton të pengojnë drejtësinë e minon demokracinë.

“Të gjithë ne duhet të tregojmë respektin dhe përkrahjen tonë për zyrtarët e drejtësisë për veprimin e tyre në ndalimin e akteve të mundshme jo ligjore në KEK. Me këtë veprim po tregohet se drejtësia në Kosovë është funksionale, e pandikueshme dhe e guximshme. Sigurisht se secili është i pafajshëm derisa të provohet ndryshe. Respekti i politikës ndaj drejtësisë tregohet me përkrahje dhe me kërkesë për drejtësi. Respekti tregohet edhe duke mbajtur gojën mbyllur”, tha Hoti.

Related Articles