Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se është në Mitrovicë për ta përcjellur nga afër situatën e sigurisë në veri, kur po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Lepozaviq e Zubin Potok.
Sveçla tha në një lidhje direkte për televizionin publik se nuk ka incidente dhe se presin që dita të përfundojë e qetë, raporton Gazeta Express.
“Unë sot jam në Mitrovicë dhe po e përcjellim situatën sa i takon çështjeve të sigurisë. Situata është stabile, e qetë. Nuk kemi incidente dhe presim që dita të përfundojë e qetë”, tha Sveçla.
Ministri tha se “këto zgjedhje janë më ndryshe për shumë arsye”, edhe sa i takon aspektit të sigurisë.
“Për dallim prej më herët, nuk ka incidente”, tha ai.
Sveçla tha se ditët e fundit qytetarëve serbë u është bërë “presion i hatashëm që të mos dalin në zgjedhje”.
“Por përndryshe sot nuk vërehet ndonjë tendencë për eskalim të situatës”, tha Sveçla.
Ai tha se presin që të rritet numri i qytetarëve që do ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit.
Lidhur me lokacionet e reja të votimeve, Sveçla tha se bashkë me KQZ-në është vlerësuar “se zgjidhja më e mirë është të gjejmë hapësira alternative”.
“Kjo nuk do të thotë pamundësim të pjesëmarrjes në votime”, tha ai.
“Edhe kushtet e punës janë mëse komode. Edhe për votuesit vendvotimet janë të identifikuara dhe nuk shoh ndonjë problem të veçantë”, shtoi Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme tha se “Policia e Kosovës kurrë s’ka qenë më e përgatitur” për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët.