PDK, partia më e madhe në nivel komunash

PDK, partia më e madhe në nivel komunash

Partia Demokratike e Kosovës ka kaluar Lidhjen Demokratike për t’u bërë partia që udhëheq më së shumti komuna në Kosovë, pas fitores në Zveçan dhe Zubin-Potok të dielën. PDK-ja tani udhëheq në 10 komuna.

Nga zgjedhjet e 2021-s, PDK-ja udhëhiqte me Mitrovicën e Jugut, Ferizajn, Prizrenin, Drenasin, Skenderajn, Hanin e Elezit, Kaçanikun e Vushtrrinë, ndërsa nga tash edhe me Zveçanin e Zubin-Potokun.

LDK-ja, që deri tash ishte e para me nëntë komuna, në garat e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut nuk ka pasur kandidatë. Ajo udhëheq Prishtinën, Fushë-Kosovën, Lipjanin, Pejën, Dragashin, Vitinë, Istogun, Junikun dhe Obiliqin.

Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin të dielën e kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, që në nivel të përgjithshëm tani udhëheq në gjashtë komuna dhe tejkalon Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që udhëheq me pesë komuna. Pos dy komunave në veri, Vetëvendosje udhëheq edhe Gjilanin, Podujevën, Kamenicën dhe Shtimen.

AAK-ja vazhdon t’i udhëheqë Gjakovën, Klinën, Deçanin, Suharekën dhe Rahovecin.

Komunat tjera udhëhiqen nga Lista Serbe (6) dhe Nisma e KDTP-ja nga një.

Related Articles