Presidenti Agim Ademi ka pritur, sot, në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka. Në një atmosferë miqësore dhe të ngrohtë, dy presidentët kanë shprehur mbështetjen e tyre për njëri-tjetrin, si dhe për komunitetin e futbollit në tërësi.
Presidenti Ademi e njoftoi presidentin Duka për të gjitha zhvillimet e kohëve të fundit me të cilat është ballafaquar FFK-ja, teksa vuri në pah koherencën dhe vendosmërinë e komunitetit të futbollit në Kosovë për të sfiduar çdo pengesë. Kreu i FFK-së gjithashtu e përgëzoi presidentin Duka për mandatin e tij të ri në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, duke e vlerësuar rizgjedhjen e tij si një lajm të mrekullueshëm për futbollin në nivel mbarëkombëtar, por edhe në përgjithësi për futbollin e rajonit.
Presidenti Duka, nga ana tjetër, e falënderoi presidentin Ademi për lidershipin dhe përkushtimin e tij ndaj futbollit dhe shprehu bindjen se Federata e Futbollit të Kosovës pashmangshëm do t’i përmbyllë të gjitha zhvillimet që janë në proces dhe do të vazhdojë rrugëtimin e saj të suksesshëm, jo vetëm në arenën vendore, por edhe në atë ndërkombëtare.
“Kam ardhur t’i shpreh mbështetjen time presidentit Ademi, pasi ajo çfarë ka ndodhur normalisht se nuk është një gjë që mund ta kalosh lehtë. Nuk kam dashur të vij gjatë periudhës kur ka qenë drejtësia në mes, ndonëse kam qenë i bindur se do të ndodhi kështu siç ka ndodhur, por s’kam dashur të ketë komente sikur po ndikojmë në atë që ndodhi. Tani kur puna po normalizohet, kam ardhur për të ritheksuar se, ne, jemi bashkë dhe jemi krah i njëri-tjetrit, jo vetëm me Agimin që kemi raporte miqësore, por me të gjithë Federatën. Uroj që kjo situatë të ketë kaluar. E di që nuk është diçka që harrohet lehtë, por gjithsesi duhet të shohim përpara për të bërë më të mirën për Federatën e Futbollit të Kosovës. Edhe procesi i licencimit me aq sa kam informacione është në rrugë të mbarë dhe do të përmbyllet shumë shpejtë”, ka theksuar presidenti Duka.
Në këtë takim, dy presidentët diskutuan edhe për projekte të ndryshme që synojnë të rrisin nivelin e futbollit në Kosovë dhe rajon. Ata u ndalën në rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe në masivizimin e futbollit, që janë aspekte kryesore për ecjen përpara.
Në fund të takimit, presidenti Ademi i dhuroi presidentit Duka fanellën e re të Kombëtares së Kosovës, si dhe Hyjneshën në Fron, në shenjë respekti dhe nderimi për kontributin e tij të vazhdueshëm për zhvillimin e futbollit kosovar.