Ish-Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka folur lidhur me ikjen e qytetarëve jashtë vendit. Sipas tij, në dy vjetët e fundit nga Kosova janë larguar mbi 200 mijë qytetarë.
Sipas tij, ky është indikator që tregon se pushteti duhet të bëjë më tepër për qytetarët.
“…vërehet një zbrazje masive e Kosovës, të rinjtë të cilët ikin në vendet të ndryshme. Nëse thuhet që në dy vitet e fundit kanë shkuar më shumë se 200 mijë veta, a duhet indikator tjetër që të prekin në sedër pushtetarët e Kosovës të bëjnë më tepër. Në anën tjetër, sot e ke fluksin e ikjes në bregdet dhe faktin se kanë kalu në këtë vikend më tepër se 50 mijë vetura e dëshmon më së miri revoltën apo refuzimin estetik të themi të realitetit të krijuar në Kosovë”, ka thënë Gërxhaliu.
Gërxhaliu ka thënë se nga Kosova s’po ikin vetëm ata që janë në gjendje të rëndë ekonomike, por edhe familjet që kanë kushte të mira.
“Na po flasim në aspektin social, sa po varfërohet në Kosovë, mirëpo askush nuk po e përmend aspektin demografik. Mu nga këto kushtet të cilat i kanë kaplu të rinjtë, sot maksimumi i kthimit të popullatës është 1-2 për familje, kush garanton qëndrueshmëri, kush garanton shpresë dhe pse është arsyeja që po iket nga Kosova. Duhet të kuptohet për hir të opinionit e vërteta që nga Kosova nuk po ikin të papunët, nuk po ikin vetëm të varfërit, po ikin familjet të establuara mjaft mirë, po ikin për bashkim familjar, po ikin intelektual dhe kjo është goditja më e madhe që po i bëhet Kosovës dhe ardhmërisë së saj. Në këtë drejtim e lexova një ditë një artikull shumë interesant në “Corriere della sera”, në ditët e fundit Gjermania fiton afër 200 miliardë euro vetëm nga marrja e trurit gratis. Paramendo, fëmiu i një Kosovari e kryen fakultetin gratis, fakulteti, shkollimi kushton 120 mijë në 6 vite dhe shkon në Gjermani gjen punë pa asnjë cent investim. E mora shembull vetëm aspektin e mjekësisë, sot ke inxhinierë të IT, inxhinierë të arkitekturës në Gjermani, sepse me të vërtetë është humb shpresa që në Kosovë do të thotë ka perspektivë”, ka deklaruar Gërxhaliu në emisionin “Tempus”.