Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para fillimit të takimit në Bruksel është takuar me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Ata kanë biseduar para se të fillonte takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
“Ishte një takim miqësor e produktiv, të cilin kryeministri Kurti e filloi duke e falënderuar Escobarin për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e votimit në fazën e parë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar atë të arritur meritore të Republikës së Kosovës. U diskutua për takimin e sotëm, agjendën dhe pritjet, teksa u theksua nevoja e zbatimit të plotë, në mirëbesim dhe pa kushtëzime të asaj që është dakorduar me 27 shkurt në Marrëveshjen Bazë dhe 18 mars në Planin e Zbatimit”, thuhet në njoftim.
Takimi mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë i paraparë të nisë nga ora 18:00. Mediumi serb “B92” ka raportuar se tashmë takimi ka nisur, ku prezent janë edhe lehtësuesit e BE-së, përfaqësuesi i Lartë për politikë të jashtme Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Çështja e të pagjeturve dhe formimi i Asociacionit janë temat kryesore në takim.