Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e cilësoi shkarkimin e Ekipit Menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit si një aktrim të Qeverisë Kurti.
Krasniqi tha se sikur ai të ishte kryeministër, nuk do të lejonte që një ekip i emëruar nga kryeministri i Kosovës të shkonte në Bruksel sikur të ishte palë e ndërmjetësit.
“Ky ishte një shou i vogël, sepse shkarkimin që e bënë dje kanë mundur ta bëjnë paraprakisht dhe ta emërojnë dikë tjetër, sepse është kompetencë që i takon qeverisë, andaj unë nuk e kuptoj këtë aktrim sepse nuk ka funksion. I kanë lënë atje të vijnë, të prezantojnë, një instancë institucionale e emëruar nga Kosova me një dokument kundër Kosovës, përse të bëhet ky shou?”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.
Krasniqi tha se ajo që Kurti e prezantoi si draft vizion për Asociacionin është qesharake, ku atë e krahasoi me gjashtë pikat që kreu i qeverisë i prezantoi në kuvend për marrëveshjen.
“Kurti doli në konferencë për shtyp dhe na tregoi se e ka dhënë një draft vizion. Më e reja si terminologji, kom dëgjuar që ka vizion, por draft vizion është qesharake, kish qenë mirë me na tregu ndonjë gjuhëtar se si mundet një njeri me e pasë një draft të vizionit”.
“Ky draft vizon është si ato gjashtë pikat që na i prezantoi në Kuvend, ai na ka thënë se asgjë nuk ndodhë, nuk ka marrëveshje pa u bërë 1, 2, 3, 4,5 6 dhe njohjen nga Serbia dhe në fund asgjë nuk ndodhi, edhe këto 11 pika janë të njëjta, do të përdoren për militantizëm të brendshëm dhe prapë ajo do të jetë baza e statutit”, tha Krasniqi.