Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.
Disa të shtëna me armë janë dëgjuar edhe dje në rrugën ‘Qamil Batalli’ në Prishtinë, gjë që aktivizoi Policinë për të dalë në vendin e ngjarjes.
Sinjali mëson se njësitë policore kanë dalë më vendngjarje, ku kanë gjetur dhe sekuestruar shtatë gëzhoja që dyshohet të jenë të armës që u përdor në rast.
Pas veprimeve hetimore është arritur që të identifikohet personi i dyshuar dhe në koordinim me Prokurorinë, Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e tij.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, janë gjetur dhe sekuestruar një shufër metalike dhe disa fishekë të pushkës automatike.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa i dyshuari ende s’është intervistuar.