“Pecetat menstruale nuk janë luks”, Qeverisë i kërkohet ta largoj taksën

“Pecetat menstruale nuk janë luks”, Qeverisë i kërkohet ta largoj taksën

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) ka filluar peticionin për heqjen e taksës për produkte menstruale, pasi gratë në Kosovë detyrohen t’i paguajnë 18 për qind shtetit taksë për këto produkte.

Sipas tyre e gjithë kjo po ndodh pasi që shteti këto produkte po i konsideron si produkte jo esenciale, shkruan Gazeta “Enigma”.

Qytetarja Ardita Emini në një përgjigje për Gazetën “Enigma” në lidhje me këtë çështje ka thënë se kjo iniciativë është e mirëpritur, është dashur të ndodh shumë më herët.

“Ky peticion është dashur të ndodh shumë më herët, shpresoj që shteti të marr masa në këtë drejtim. Kjo gjë është dashur të ndodh edhe më herët nga vet shteti pasi gjatë gjithë kohës flasin për të drejtat e grave”, ka deklaruar Emini për “Enigmën.

“Por një gjë e tillë duhet të bëhet sa më shpejt, më mirë vonë se kurrë. Ftoj të gjitha gratë dhe vajzat që ta nënshkruajnë këtë peticion”, tha ajo.

Tutje QIKA ka theksuar se për shumicën e grave blerja e produkteve menstruale është e papërballueshme për shkak të kushteve ekonomike.

“Shumë gra nuk mund të përballojnë blerjen e pecetave, tamponëve apo produkteve të tjera menstruale për shkak të kushteve ekonomike”, thuhet në njoftimin e tyre për media.

Ku sipas tyre “në pamundësi të përdorimit të mjeteve të duhura, ato detyrohen të përdorin materiale të pasigurta për shëndetin gjatë ciklit menstrual”.

E gjithë kjo sipas tyre është kundër kushtetuese. Qasja në produktet menstruale është esenciale dhe edhe shteti duhet ta trajtoj si të tillë.

“Për gratë, qasja në peceta menstruale është esenciale dhe duhet të trajtohet si e tillë prej shtetit. Taksa për produkte menstruale është pengesë për gëzimin e të drejtës në shëndet për gratë dhe personat që menstruojnë, rrjedhimisht ua shkelë të drejtat e njeriut dhe është kundër kushtetuese” thuhet në njoftimin e tyre.

“QIKA” ka ftuar qytetarët e Kosovës që ta nënshkruajnë peticionin për heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSh-së) prej 18% për pecetat menstruale dhe tamponët.

KËTU MUND TË BËHET NËNSHKRIMI I PETECIONIT

Kësaj fushate iu ka bashkangjitur edhe juristja e njohur e së drejtës së medias, Flutura Kusari, e cila ka theksuar se gratë dhe vajzat harxhojnë 3 deri në 10 euro për produkte menstruale.

“Gratë dhe vajzat harxhojnë 3 deri në 10 euro në muaj me ble peceta/olloshka gjatë ciklit menstrual”, tha ajo.

Tutje Kusari ka shtuar se “pecetat i blejmë më shtrenjtë për shkak të TVSH 18% të vendosur nga shteti sepse konsiderohen si produkte jo esenciale, si luks diqysh”.

Pecetat nuk janë luks sepse kur je me cikël je e detyruar me i përdorë”, tha Kusari.

Kujtojmë se deri më tani janë nënshkruar afër pesë mijë peticione. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles