Policia e Kosovës njofton se në vazhdën e zbatimit të operacionit policor të realizuara më herët gjatë 30 marsit, 5 prillit e 4 majit, operacioni ka vazhduar edhe sot.
Gjatë zbatimit të operacionit më herët, ishin gjetur e konfiskuar rreth 36 kg marihuanë dhe ishin arrestuar tre të dyshuar.
“Sot, më 12.05.2023, në vazhdën e zhvillimit të operacionit policor ‘Guri’, i zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë (prokurorinë), janë kontrolluar 11 lokacione, ku si provë materiale janë gjetur dhe konfiskuar rreth 12 kg substancë narkotike (dyshohet të jetë marihuanë), 3467 euro, 12.700 lekë (paratë dyshohet janë përfituara nga vepra penale) dhe tri vetura me të cilat është bërë bartja e lëndës narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kujtojmë se në tri operacionet e më hershme dhe këtë të ditës së sotme, janë konfiskuar 48 kilogramë marihuanë, vlera e së cilës sipas policisë është rreth 70 mijë euro dhe janë arrestuar nëntë të dyshuar.