Shoqëria Civile për të Drejtat e Njeriut, ka publikuar një raport, ku thuhet se përdorimi dhe kohëzgjatja e tepërt e paraburgimit, ka vazhduar në Kosovë gjatë vitit 2020, raporton Gazeta Enigma.
Përmes këtij raporti thuhet se e drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut parashikon që paraburgimi duhet të urdhërohet vetëm kur është i arsyeshëm dhe i nevojshëm.
“Monitorimi i QKRMT-së tregon se paraburgimi po përdoret në mënyrë të tepruar në Kosovë, shpesh pa i kushtuar vëmendje e duhur rrethanave të rastit. Sipas QKRMT-së, rreth 70 për qind e të ndaluarve në Kosovë, përfshirë të paraburgosurit, nuk kanë një vendim përfundimtar të gjykatës” thuhet në këtë raport.
Më tutje theksohet se ‘që nga viti 2015, QKRMT-ja ka dorëzuar rreth 50 parashtresa në gjykata të ndryshme në Kosovë duke ngritur shqetësime në lidhje me praktikën e urdhërimit dhe zgjatjes së paraburgimit, e cila, sipas mendimit të saj, ka rezultuar në “paraburgim të stërzgjatur dhe vetëm sipërfaqësisht të justifikuar”.
Situatën sipas këtij raporti e përkeqësojnë më tej vonesat në procedurat gjyqësore të shkallës së parë dhe një numër i konsiderueshëm i rasteve që po kthehen për rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Ndryshe, Kosova ende nuk ka krijuar një mjet juridik efektiv, përfshirë kompensimin, për të adresuar një ndërhyrje të tillë në të drejtën për liri dhe siguri.