Tentim vrasja në Suharekë: Ky është personi që dyshohet se plagosi 35-vjeçarin në fshatin Gelancë

Tentim vrasja në Suharekë: Ky është personi që dyshohet se plagosi 35-vjeçarin në fshatin Gelancë

Sot u raportua për një rast të tentim vrasjes që ka ndodhur të dielën në fshatin Gelancë të Suharekës, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri. Për motive akoma të panjohura, i dyshuari 55-vjeçar ka shtënë në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë rast është Sejdi Vrella, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe do të hetohet për dy vepra penale.

Viktima që u plagos dhe mori lëndime në këmbë, është një 35-vjeçar, i cili po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë.

Sinjali mëson se i riu është qëlluar me armë nga 55-vjeçari, që dyshohet se pas një mosmarrëveshje momentale që ka pasur me viktimën, e ka nxjerrë armën dhe ka gjuajtur në drejtim të tij.

Posa rasti është denoncuar, njësitet policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku është gjetur arma që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari, me ç’rast është konfiskuar bashkë me municionin.

Pasi janë kryer ekzaminimet e nevojshme në lokacionin ku ndodhi incidenti, Gjykata ka lëshuar urdhër për bastisje në shtëpinë të dyshuarit, ku po ashtu janë gjetur dëshmi që do të shfrytëzohen si prova materiale gjatë procesit të hetimit.

55-vjeçari i dyshuar për këtë rast, përveç veprës penale “Vrasje në tentativë”, dyshohet edhe për armëmbajtje pa laje, pasi kundërligjshëm ka mbajtur armë, të cilën e ka përdorur në këtë rast.

Me të përfunduar procedurat policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor do të ndërmerren edhe veprimet e tjera të nevojshme.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles