Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë.
Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në Miradi të Ulët në Fushë Kosovë dhe këtë herë në rrahje janë përfshirë dy persona, që dyshohet se u kapën për shkak të një mosmarrëveshje derisa ishin në trafik. Zënka eskaloi deri në dhunë fizike, për çka u desh intervenimi i Policisë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se fillimisht palët janë kapur mes vete në rrethrrotullim e më pas kanë vazhduar, për t’u ndalur dhe për t’i qëruar hesapet me dhunë.
Dy të dyshuarit, njëri 55-vjeç e tjetri 58 u arrestuan dhe u shoqëruan në stacion policor, teksa në vendin e ngjarjes është gjetur një shufër druri që dyshohet të jetë përdorur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve dhe inicimin e rastit ndaj tyre.