Dy persona u rrahën mes vete në mesditën e sotme tek vendi i njohur si Hani i Dilit në kryeqytet.
Bile, aty u shkrep edhe arma, ndonëse e shtëna, siç mori vesh Klan Kosova, ishte në drejtim të tokës.
Një person, megjithatë, mbeti i lënduar nga kondaku i armës, pa lënë mbrapa grushtet e shqelmat që i hëngri si njëri ashtu edhe tjetri.
Njëri nga të dyshuarit u largua me vrap menjëherë pas ngjarjes, derisa policia tashmë është vënë në kërkim të tij.
Shkaqet e kësaj mosmarrëveshje nuk dihen ende. Ato nuk i tregoi as policia e as prokuroria, ndonëse të dyja palët qëndruan gjatë në vendngjarje.
“Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprave penale ‘Lëndimi trupor’ dhe ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’, derisa në koordinim me institucionet relevante janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive me qëllim të sigurimit të prezencës së të dyshuarit në procedurën penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore e Prishtinës.
I lënduari u dërgua në emergjencën e QKUK-së për trajtim mjekësor, derisa drejtori i kësaj klinike, Naser Syla, i tha Klanit se pacienti ndonëse ka lëndime në trup e kokë, është në gjendje stabile.