Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar sërish që të shtyhet seanca për rastin gjyqësor ku akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës. Ai nuk është paraqitur sot në Gjykatë, për shkak të një udhëtimi zyrtar.
Kjo është konfirmuar nga zyra e gjykatëses, Edita Çanta, e cila ka thënë se seanca është shtyrë me njoftim zyrtar pasi që mbrojtësja e të akuzuarit Konjufca përmes një parashtrese ka njoftuar gjykatën që i njëjti ndodhet në një udhëtim zyrtar.
Seanca e radhës është shtyrë në afat të pacaktuar, raporton Betimi për Drejtësi.
Ndryshe, Glauk Konjufca edhe më 13 prill 2023 kishte kërkuar që të shtyhet seanca shkaku i angazhimeve të tij.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.