Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur dje ka marrë vendim që të themelohet Grupi Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë, si dhe për bashkërendimin e veprimeve institucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës.
Në vendimin e Qeverisë, thuhet se, Grupi Punues ka për obligim shqyrtimin e çështjeve me rëndësi strategjike dhe përgatitjen e propozimeve dhe rekomandimeve në zbatim të mandatit nga pika 1. e këtij Vendimi, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare të zbatueshme, përcjell Gazeta Express.
Tutje, shtohet edhe se, në ushtrimin e mandatit të tij, Grupi Punues merr parasysh Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 28 shtator 2026, me synim bashkërendimin e qëndrimeve dhe veprimeve institucionale, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të institucioneve përkatëse.
Tutje, shtohet edhe se, ky grup përbëhet nga Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Kryesues; Një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, anëtar; Një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, anëtar; Një përfaqësues nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, anëtar; Një përfaqësues nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, anëtar; Një përfaqësues nga Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, anëtar; Një përfaqësues nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, anëtar; Një përfaqësues nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, anëtar; Një përfaqësues nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtar; Një përfaqësues nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, anëtar; Një përfaqësues nga grupet parlamentare të komuniteteve joshumicë, anëtar.



