Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur deklaratës së ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili fajësoi sot LDK-në për mos-rënien e disa çmimeve.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bajrami e ka quajtur Muratin patetik dhe të dështuar, duke thënë se Qeverisë së tanishme i shkoi mandati ‘me vaj në buzë’.
“Duhesh me qënë tepër i dështuar, kur je në pozitën e ministrit të financave, në vitin e tretë të mandatit dhe i takon një qeverie që i ka të gjitha nivelet e pushtetit e krejt çka ke me thënë është se “LDK-ja s’po me len me punu”. Le ministër, shko në shpi se kjo nuk është punë për ty – populli thotë nuk shkon me zor”, shkroi ajo.
Sipas deputetes së LDK-së, rënia e çmimit të derivateve dhe vajit ushqimor nuk është bërë me ligj, por siç thotë ajo, pikërisht tregu i lirë/konkurrenca e ka bërë këtë.
“Ju s’keni qënë në gjendje të ndermerrni asgjë, andaj edhe në atë që ke thënë brenda disa rreshtave je kundëthënës edhe vetën. Dhe një këshillë të sinqert: mos hartoni/votoni ligje antikushtetuese sepse prapë do të përfundojnë në Gjykatë Kushtetuese, prej tani po të tregoj që Ligji për Fondin Sovran është i tillë për shkak të nenit 65 të tij, andaj mos thuaj nesër “LDK-ja i ka fajet”, sepse ne nuk ndjehemi në faj kur jemi në mbrojtje të Kushtetutës”, shkroi më tej Bajrami.