19 gjoba janë shqiptuar të shtunën në Fushë Kosovë dhe Ferizaj për moszbatim të ligjit kundër duhanit në hapësirat publike. Gjobat janë shqiptuar gjatë një aksioni që Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, së bashku me inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinarisë (AUV) kanë zhvilluar në këto komuna, për të inspektuar zbatimin e këtij ligji.
Nga AUV-i kanë konfirmuar për Telegrafin se 18 prej gjobave të shqiptuara janë juridike (për biznese) dhe një fizike (për individë).
“Nëntë biznese janë dënuar në Komunën e Fushë Kosovës, nëntë në Komunën e Ferizajt dhe një konsumator në Ferizaj”, kanë thënë nga Agjencia.
Zhvillimin e aksionit dhe shqiptimin e gjobave i ka konfirmuar edhe Flutur Mustafa nga Ministria e Bujqësisë.
“Aksione të tilla do të jenë të vazhdueshme, në çdo komunë të Republikës së Kosovës. Rendi dhe ligji në rrudhe të parë”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa, ministri Peci gjatë ditës në një postim në Facebook ka thënë se intensiteti i inspektimeve po rritet edhe gjatë fundjavave.
“Boll ma! Intensiteti i inspektimeve po rritet edhe gjatë fundjavave”, ka shkruar ai, ndërsa ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm në raportimin e rasteve ku thyhet ligji.
Ministri tutje ka shprehur shqetësim për “rezistencë të organizuar” të disa gastronomeve, por ka thënë se përkundër kësaj “përveç se po vendosim rend dhe ligj, po e çojmë në vend edhe vullnetin e qytetarëve për ambiente pa duhan”, s
“Kjo rezistencë dhe organizimi përmes rrjeteve sociale kundër aksioneve të inspektorëve është e papranueshme. Askush nuk mund ta minojë rendin edhe ligjin. Zero tolerancë!”, ka shkruar Peci.