Borxhet e konsumatorëve në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Prishtina” që nga paslufta kapin vlerën prej 45 milionë eurove.
80 për qind e konsumatorëve që shfrytëzojnë ujin për amvisëri kanë borxh 40 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 5 milionë eurove janë obligime nga bizneset dhe institucionet, shkruan Gazeta “Enigma”.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku, e cila në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, ka njoftuar se ky borxh është grumbulluar që nga paslufta.
“Borxhi i konsumatorëve të amvisërisë, institucioneve, bizneseve të vogla dhe të mëdha, ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, po flasim që nga paslufta deri më sot është mbi 45 milionë euro”, tha ajo.
Tutje Mjeku ka shtuar se “80 për qind e sasisë së ujit shpenzohet nga amvisëria, ndërkaq borxhi, vetëm i konsumatorëve të amvisërisë, është rreth 40 milionë euro. 5 milionë euro janë borxhe të bizneseve të vogla e të mëdha dhe të institucioneve”.
Tutje ajo ka shtuar se dhjetëra lëndë të konsumatorëve janë dërguar në përmbarues, ku falë kësaj procedure kanë arritur që të inkasojnë një shumë të madhe të borxheve që i detyrohen kësaj kompanie.
“Në përmbarim dërgohen ata konsumatorë që kanë borxhe mbi 100 euro. Kemi dërguar me dhjetëra lëndë, jemi duke përgatitur çdo ditë nga zyra ligjore lëndë të tjera. Pikërisht për këtë arsye u kemi bërë apel edhe qytetarëve që t’i shmangin taksat ndaj përmbaruesve. Pra, ta paguajnë borxhin para se lënda e tyre të shkojnë te përmbaruesi privat. Me përmbarim kemi arritur qe ta marrim një shumë të konsiderueshme të parave nga borxhlinjtë”, deklaroi Mjeku për “Enigmën”.
Sipas saj KRU “Prishtina” në bashkëpunim me Policinë e Kosovës çdo të mërkure dhe të premte bëhet çkyçja e tri llojeve të konsumatorëve nga rrjeti i ujësjellësit për shkak të këtyre borxheve.
“Veç kemi filluar me çkyqje intensive nga sistemi i rrjetit te furnizimit me ujë të pijshëm. Fillimisht jemi duke aplikuar çkyqje te ata konsumatorë që kanë borxhe të grumbulluara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe ndaj atyre konsumatorëve që janë të kyçur ilegalisht në sistem”.
“Si konsumatorë ilegalë përfshihen të gjithë ata që kanë marrë pëlqimin për kyçje, kanë plotësuar kushtet teknike, mirëpo nuk i kanë dërguar ende listat e konsumatorëve në K.R.U Prishtina”, ka njoftuar ajo.
Ndërsa masa më e rreptë për borxhlinjtë e kësaj kompanie është edhe kallëzimi penal.
“Çdo të mërkurë dhe premte, me asistencë të Policisë së Kosovës, dalim që t’i çkyqim tri lloje të konsumatorëve, ata që kanë borxhe të mëdha, ata që janë të kyçur ilegalisht, por edhe një kategori e konsumatorëve të cilët pas çkyqjes nga ana jonë, kyçen në mënyrë ilegale. Këta të fundit, përveç që kyçen nga furnizimi me ujë, ushtrojmë edhe kallëzim penal”, ka deklaruar Mjeku. /GAZETA ENIGMA/