Palmer: Marrëveshja Kosovë-Serbi është thelbësore për tërheqjen e më shumë investimeve amerikane

Palmer: Marrëveshja Kosovë-Serbi është thelbësore për tërheqjen e më shumë investimeve amerikane

Zëvendës ndihmësi i Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer dhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Philip Kosnett, vizituan sot Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Palmer me këtë rast tha se një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kyç për tërheqjen e më shumë investimeve amerikane dhe të tjera të huaja, si dhe për krijimin e vendeve aq shumë të nevojshme të punës për popullin e Kosovës dhe tërë rajonit.

Duke falënderuar Odën Amerikane për promovimin e partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve, Palmer theksoi se rrjeti i Odave Amerikane përgjatë tërë rajonit paraqet një kornizë produktive për ballafaqim me sfidat aktuale me të cilat përballet rajoni.

Palmer shprehu dëshirën të dëgjojë nga anëtarët e Odës Amerikane mbi klimën lokale të biznesit si dhe klimën rajonale të biznesit, aspekte këto që zënë vend me prioritet të lartë në agjendën e SHBA-së për promovim të integrimit ekonomik rajonal, për uljen e pengesave në integrimin ekonomik dhe në lëvizjen e njerëzve dhe kapitalit, duke i vlerësuar ato si një kornizë për integrimin e Kosovës në sistemin evropian, në mënyrë ideale si anëtare e BE, e që është edhe objektiv i SHBA-së për të ardhmen e Kosovës.

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë folën për rëndësinë e një dialogu më të fuqishëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe sektorit privat, por edhe për avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, zhvillimin e kapaciteteve energjetike, si dhe trajnimin e fuqisë punëtore, thuhet në komunikatë.

Related Articles