Gledi Mici, Leonit Abazi, Endrit Krasniqi dhe Lumbardh Dellova janë katër lojtarët e FC Prishtinës që janë ftuar nga kombëtarja e Kosovës në futboll për dy ndeshjet e muajit qershor ndaj Guinesë dhe Gambisë, që do të zhvillohen me 8, respektivisht 11 qershor.
Megjithatë një problem qëndron në këto ftesa, pasi lojtarët e Prishtinës duhet të bëhen gati për ndeshjet parakualifikuese të Ligës së Kampionëve me ekipin nga kryeqyteti i Kosovës.
Dëshira e klubit të FC Prishtinës, Fisnik Kërçeli ka theksuar sërish se pas mbledhje së mbajtur, interesi i klubit bardhëekaltër është që lojtarët të mos i bashkohen kombëtares së Kosovës, por të qëndrojnë me pjesën e klubit, pasi duhet të bëhen përgatitjet për ndeshjet në Evropë.
“Ne jemi në kontakt me Federatën e Futbollit të Kosovës. Interesi ynë është që futbollistët të qëndrojnë me neve pasi ne e shohim si më të rëndësishme ndeshjen tonë në Evropë. Ne do të fillojmë fazën përgatitore nga 6 deri me 16 qershor. Ende nuk është marrë ndonjë vendim, nesër pritet të dihet gjithçka”, tha Fisnik Kërçeli për ‘GazetaBlic Sport’.
Sipas Kërçelit, në ditën e nesërme, FC Prishtina në bashkëpunim me FFK’në do të vendosin në lidhje me katër lojtarët që janë ftuar.