Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm.
Në kuadër të një operacioni policor ka rënë në prangat e Policisë edhe një ndër të dyshuarit kryesorë për organizimin e lojërave të fatit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Shpëtim Krasniqi, nga Juniku i Deçanit.
Krasniqi është intervistuar nga organet e hetuesisë si i dyshuar për veprat penale ‘Krim i organizuar’ dhe ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 37-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor.
Ndryshe, gjatë këtij operacioni, i cili u zhvillua në fillim të muajit, janë arrestuar edhe dhjetë persona të tjerë, të dyshuar për veprat penale të lartcekura.
Sinjali mëson se Krasniqi aktualisht ndodhet në Gjykatë, ku pritet që të vendoset për masën e sigurisë ndaj tij.
Kujtojmë se organet e drejtësisë kanë qenë dorëlirë me organizatorët e lojërave të fatit, ku shumica fare nuk dërgohen në paraburgim, por lihen të lirë të vazhdojnë aktivitetin e tyre.
Mbete të shihet nëse një fat të tillë do ta ketë edhe Shpëtim Krasniqi.
Sinjali do të iu mbajë të informuar.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.