Rastet e dhunës në familje përditë e më shumë po rriten në vendin tonë. Viktima janë kryesisht gratë të cilat shpesh hezitojnë të raportojnë në Polici dhunën që përjetojnë nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë është denoncuar së fundmi nga një grua në Bardhosh të Prishtinës.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se denoncuesja e ka raportuar ish-dhëndrin në Polici, nën dyshimet se e ka kanosur vajzën e saj.
Siç mëson Sinjali, e njëjta ka deklaruar se vajza e saj e cila jeton jashtë vendit është ndarë nga bashkëshorti i saj me të cilin kanë qenë të martuar për 15 vjet, por tashmë ai po i nxjerrë telashe.
Për shkak të frikës që po ua shkakton asaj dhe fëmijëve, ata kanë vendosur që përmes nënës/gjyshes të kërkojnë ndihmën e Policisë.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka nisur hetimet lidhur me rastin dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndërmarrë veprime për të siguruar prezencën e të dyshuarit.