Qytetarët serbë që janë mbledhur para objektit të Komunës së Leposaviqit për të penguar hyrjen e kryetarit Lulzim Hetemi, kanë filluar të gjuajnë gurë në drejtim të gazetarëve.
Gazetarja e T7, Arianitë Zhegrova, po qëndron atje, prej ku ka dërguar pamje. Në video, ata dëgjohen edhe duke brohoritur.
Hetemi ende s’ka arritur të futet ende në objektin e komunës.
Gazeta Express raportoi pak më herët se në Komunën e Leposaviqit është lëshuar sërish alarmi, derisa afër objektit komunal është bllokuar rruga përmes një kamioni.
Vetëm disa minuta më herët, Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, arriti të futej në objekt, nën përcjelljen e Policisë.
Para tij, në zyrën e tij ka hyrë edhe Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
Turmat e njerëzve u mblodhën para komunave veriore, pasi në qytete u dëgjuan sirenat.
Zakonisht, në katër qytetet veriore, sirenat lëshohen nga strukturat që thërrasin qytetarët për të dalë në rrugë.