Liria e Prizrenit është vetëm edhe një ndeshje larg rikthimit në elitën e futbollit të Kosovës.
Prizrenasit e fituan ndeshjen e parë të barazhit të Ligës së Parë ndaj Ulpianës me rezultatin, 3:1.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “18 Qershori” në Klinë dhe u dominua nga prizrenasit që nga fillimi e deri në fund të ballafaqimit.
Edmond Likaj u përkujdes për golin e parë në ndeshje, që në minutën e katërt.
Likaj shënoi nga afërsia me ndihmën e një devijimi nga një mbrojtës i Ulpianës.
Pas gjysmë ore lojë, Liria mendoi se fitoi penallti, por pas rishikimit të situatës në VAR, vendimi u tërhoq nga gjyqtari kryesor i ndeshjes.
Por në fundin e pjesës së parë, Liria shënoi tjetër gol.
Petrus Megameno me një gjuajtje të fuqishme me të majtën, realizoi gol të bukur për 2:0.
Ndërkohë për rezultatin 3:0 u përkujdes Diellor Beseni që realizoi nga një pozitë e vështirë në minutën e 52-të.
Ulpiana arriti vetëm ta ngushtojë rezultatin por pa e pasur forcën të kthehet në lojë deri në fund.
Gentian Emini shënoi nga afërsia në minutën e 88-të. Ishte edhe goli i fundit në këtë ballafaqim.
Liria dhe Ulpiana dolën nënkampione të grupeve të tyre në Ligën e Parë. Liria ishte e dyta në Grupin A, kurse Ulpiana e dyta në Grupin B.
Me këtë fitore, Liria tani synon të kthehet në elitën e futbollit të Kosovës pas një kohe të gjatë.
Për herë të fundit në Superligën e Kosovës, Liria garoi në edicionin 2018/19.
Vitin e kaluar nuk arriti sukses pasi u mposht nga Vushtrria pas penalltive, në barazhin e Ligës së Parë.
Nga tribunat të shtunën gjatë ditës në Klinë, të dyja skuadrat e patën përkrahjen e madhe të tifozëve.
Barazhi i Superligës së Kosovës luhet javën e ardhshme.
Në barazhin e Superligës së Kosovës, Liria do të luajë kundër skuadrës së tetë në renditjen e elitës së futbollit kosovar.
Aktualisht ajo pozitë mbahet nga Ferizaj që ka 38 pikë.