Rastet e mashtrimeve me qëllim përfitimin e qindra mijëra eurove në formë të kundërligjshme janë rritur me të madhe në Kosovë. Personat që arrestohen për këto raste shpesh kanë dosje të pasura kriminale, pasi dyshohen për plot vepra të tilla. Një ndër këta emra është edhe Agim Zeqiri. Zeqiri, 51-vjeçar, është denoncuar së paku katër herë dhe dyshohet për mashtrim.
Gjatë ditës së djeshme, ai ka rënë sërish në prangat e Policisë, pas një kohe prej kur ishte shpallur në kërkim.
Burimet brenda Prokurorisë thonë se pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar dhe më pas është dërguar në mbajtje me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Zeqiri dyshohet se në muajin janar të vitit 2021 u ka shitur tri prona dy viktimave, të cilëve nuk ua barti pronësinë përmes dokumenteve. Të njëjtëve, ai dyshohet se u ka marrë prona e asete si vetura e banesa në vlerë të mbi 1 milion euro. Ai po ashtu dyshohet se parcelën e tokës dhe shtëpitë që i shiti, nuk ua barti përmes dokumenteve në pronësi dy blerësve.
Cili është rasti i parë për të cilin u arrestua Agim Zeqiri?
50-vjeçari, Agim Zeqiri, dyshohet se ia zhvati një qytetari prishtinas 132 mijë euro për blerjen e një prone.
Ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” duke i prezantuar viktimës, një 32-vjeçari dokumente false që gjoja se lidheshin për blerjen e pronës për të cilën ishin marrë vesh vitin e kaluar.
Hetimet lidhur me këtë rast kanë nisur si rezultat i denoncimit të viktimës, i cili kërkoi ndihmën e Policisë pasi e kuptoi se është vënë në lajthitje nga i dyshuari.
I riu po dyshohet se ia ka dhënë të dyshuarit 132 mijë euro nga muaji prill i vitit të kaluar, të ndara në disa pjesë. Por meqë i dyshuari s’po bëhej i gjallë dhe premtimi i tij për dokumentacionin e pronës nuk po realizohej, ai e denoncoi rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.