Serbia duhet të pranojë që Kosova është e pavarur, tha presidenti kroat Zoran Milanoviç.
“Serbia duhet të kuptojë dhe të pranojë se Kosova është e pavarur. Fatkeqësisht, kjo nuk pranohet nga disa anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian”, tha Milanović.
Ai shtoi se në samitin e NATO-s vitin e kaluar, pas pushtimit rus në Ukrainë, ishte i vetmi që u bëri thirrje vendeve evropiane, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, të njohin Kosovën.
“Por është si të flasësh me një mur”. “Disa vende nuk e kanë njohur sepse kanë frikë nga precedentët që eventualisht, në një moment krize, në ndonjë rënie të imunitetit, mund të aplikohen në vendet e tyre dhe t’u merret diçka”, tha Milanović.
Ai gjithashtu tha se duhet të ndalojë së përsërituri se Kosova është Serbi. “Jo vëlla, është punë e kryer”, shtoi ai.
Kosova ende nuk është njohur nga pesë anëtarë të Bashkimit Evropian – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
Disa dhjetëra ushtarë të KFOR-it janë lënduar dje pasdite në një përleshje me demonstruesit serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.
Demonstruesit serbë, mes të cilëve ka edhe disa dhjetëra të lënduar, kundërshtuan ardhjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe pas zgjedhjeve, të cilat u bojkotuan nga serbët.
Në Kosovë ka edhe pjesëtarë të kontingjentit të 39-të kroat (HRVCON), pjesëmarrës në misionin e KFOR-it.