Komuniteti shqiptaro-amerikan bën thirrje për veprim të menjëhershëm kundër Serbisë

Komuniteti shqiptaro-amerikan bën thirrje për veprim të menjëhershëm kundër Serbisë

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ka bërë thirje sot për veprim të menjëhershëm kundër Serbisë për nxitje të dhunës dhe sulm ndaj trupave të NATO-s në Kosovë.

Komuniteti shqiptaro-amerikan ka potencuar përmes një deklarate se aktet e dhunës nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq brenda Kosovës nuk mund të kalojnë pa reagim të komunitetit ndërkombëtar.

“Jemi dëshmitarë të akteve të dhunës së kryer nga grupe të organizuara pro-ruse nga Serbia ndaj policëve të Kosovës, trupave paqeruajtëse të NATO-s dhe gazetarëve në veriun e Kosovës. Aktet e serbëve etnikë që dhunshëm tentuan të hyjnë në objektet qeveritare, orkestruar direkt nga rexhimi i Beogradit, dëshmojnë kërcënimet e përsëritura ndaj paqes dhe sigurisë në një kohë tejet të tensionuar në Evropë. Këto akte dhune nga Vucici dhe falangat e tij, brenda territorit sovran të Republikës së Kosovës, nuk mund të kalojnë pa një reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombtar. Ne jemi të shqetësuar se qëllimi i rexhimit të Beogradit, në përputhje me lojalitetin e tyre ndaj Rusisë, është që konflikti të shpërthejë dhe të përhapet në vendet fqinje, duke ndezur potencialisht luftëra të reja në Ballkan – për të hapur një front tjetër në Evropë. Është e domosdoshme që SHBA dhe aleatët e saj të kuptojnë më në fund peshën e rëndë të situatës dhe të marrin një qëndrim të vendosur kundër shantazhit nga Serbia në vend të përkëdheljes së vazhdueshme ndaj provokimeve të saj.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Sipas komunitetit shqiptaro-amerikan, është thelbësore që Serbia të kuptojë përkushtimin e Perëndimit drejt paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, “dhe se pasojat e veprimeve në kundërshtim me këtë do të jenë të rrepta”.

Komuniteti shqiptaro-amerikan ka inkurajuar qeverinë e Kosovës dhe partitë opozitare që të ndërtojnë një front të përbashkët kundër provokimeve dhe shantazhit serb dhe të koordinohen ngushtë me aleatin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Përkundër mungesës së fundit të masave të domosdoshme kundër Vucicit dhe ndërmarrjes së tij kriminale, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të jenë mbështetës i fuqishëm i sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës – përkushtuar për të mbështetur demokracinë e saj pa përjashtim. Poashtu, para se të bëhet vonë, i bëjmë thirrje administratës amerikane që t’i japë fund politikës së saj të përkëdheljes ndaj Serbisë dhe të insistojë që çdo dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore të udhëhiqet nga SHBA dhe të ketë në qendër njohjen reciproke të Kosovës dhe Sërbisë, siç është deklaruar qartë Presidenti Biden dhe katër presidentët para tij. Duke forcuar partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të dy vendet mund të punojnë drejt përfundimit të ciklit të dhunës dhe arritjes së një paqeje të qëndrueshme në Ballkan, duke evituar ndikimin dhe agresionin rus dhe kinez në Evropën Juglindore.”, është bërë e ditur tutje në deklaratë

Nënshkruesit e deklaratës, Organizatat shqiptaro-amerikane:

Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA)

Batalioni Atlantiku – Atlantic Battalion

Federata Panshiqptare – VATRA

Shoqata Malesia e Madhe, New York

Shoqata Malesia e Madhe, Michigan

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nga Illinois (KShAI)

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare

Shoqata Peja – New York

Shoqata Kraja

Shoqata Ulqini – Chicago

Shoqata Çameria

Shoqata Prespa – Chicago

Shoqata Uskana

Fondacioni Plavë Guci

Shoqata Ana e Malit

Shoqata Valet e Liqenit

Shoqata Jehona – Michigan

Fondacioni Lukaj

Dardania – Shoqata Shqiptaro-Amerikane Houston-Teksas

Serbët në veri janë duke protestuar që nga e premtja (26 maj).

Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Related Articles