E qetë ishte protesta edhe në Zubin-Potok. Të mbledhur që në orën tetë, protestuesit ishin të paktë në numër gjatë pasdites, pak para shpërndarjes në orën 15 e 30 minuta. E gjatë ditës, kryetari i ri, Izmir Zeqiri, sërish nuk doli për ta ushtruar funksionin e tij në objektin e Komunës.
Që në orën 8 të mëngjesit, qytetarë serbë nisën tubimin para objektit të Komunës në Zubin-Potok, për ditën e gjashtë të protestës në kundërshtim të kryetarit të ri, Izmir Zeqiri.
E Zeqiri as të premten nuk u paraqit në zyrën komunale, por funksionin vazhdoi që ta ushtrojë nga Zyra për Komunitete në fshatin Çabër.
Gjatë pasdites, qytetarët e mbledhur nuk ishin të shumtë në numër e shumë prej tyre shkonin e vinin në vendtakimin për protestë. Rehatinë ua prishi shiu tek po qëndronin nën strehën e tendave që i vendosën gjatë ditës.
Tingujt e muzikës me motive nacionaliste i kanë shoqëruar protestuesit edhe në ditën e gjashtë të protestës në kundërshtim të kryetarit të ri. Protesta ishte e qetë e pa tensione.
Njëjtë sikurse ditëve të kaluara, në zonën përreth objektit të Komunës ishin të vendosur pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët ndërroheshin kohë pas kohe.
E më tej tij, në një kënd rrugice, situata vëzhgohej nga pjesëtarë të KFOR-it që ishin të paktë në numër, e që angazhohen për sigurinë në pjesën e prapme të objektit të Komunës.
Në katin e tretë të objektit vazhdon të qëndrojë flamuri i Kosovës përderisa afër tij, në godinën e Shtëpisë së Shëndetit, valon ai gjigand i Serbisë, i vendosur të mërkurën.
Që nga fillimi i protestave të premten e shkuar, protestuesit në Zubin-Potok kanë qenë më të qetë, me përjashtim të disave, kur janë sulmuar veturat e pjesëtarëve të mediave, një prej të cilave është djegur.
As gazetarët nuk janë penguar në kryerjen e punës e tyre, siç ka ndodhur në komunat e Leposaviqit dhe të Zveçanit. E për dallim nga Zveçani, ku bashkë me protestuesit qëndruan edhe udhëheqësit e subjektit politik serb “Lista Serbe”, ata nuk janë parë edhe në Zubin-Potok.
Sikurse deri më tash, edhe protesta e së premtes u përmbyll në orën 15 e 30 minuta, kur serbët lokalë u shpërndan drejt shtëpive të tyre.